Vritet me plumb në kokë një shqiptar në Athinë

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pasditen e sotme në një lokal në lagjen Sepolia të Athinës duke lënë të vdekur një shqiptar.

Viktima është 32- vjeçari Aris Papas.

Ai është qëlluar në kokë me armë zjarri duke gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa autori i krimit ka mundur të ikë nga vendngjarja me taksi.

Por viktimës i ishte bërë atentat edhe më parë, më 26 shkurt dhe skema duket e ngjashme me të sotmen.

Çfarë ndodhi më 26 shkurt?

Fillimisht palët janë konfliktuar verbalisht dhe në vazhdim njëri prej tyre nxori një pistoletë dhe e qëlloi Aris Papasin në këmbë. Në panik autorët hipën në një taksi dhe pasi përshkuan rreth 1 km, e braktisën atë jashtë stacionit qendror të trenit në Athinë, duke lënë brenda edhe armën e krimit.

Ai u dërgua në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dhjetëra forca të rendit mbërritën brenda pak minutave në vend-ngjarje.

Dyshohet se sherri mes palëve ishte për pazare të prishura të drogës, pasi Papas është arrestuar disa herë për krime të lidhura me trafikun e drogës dhe vjedhjeve.

Top Channel mëson se sulmi i sotëm ka ndodhur në një lokal edhe ky në pronësi të një shqiptari ku viktima rrinte zakonisht.

E ëma e 32-vjeçarit shqiptar, Aris Papas ka shpërthyer në të qara dhe të shara në vendin e krimit.

Në videot e siguruara nga Top Channel shihet se si ajo shan në shqip dhe greqisht, duke akuzuar shtetas shqiptarë për vrasjen e të birit.

“E zeza unë, iku djali nga shtëpia. Kush më vrau djalin, o shqiptar të qelbur, më vratë djalin ore qenër”, dëgjohet të thotë ajo në shqip.

The post Vritet me plumb në kokë një shqiptar në Athinë appeared first on Telegrafi.


Burimi: telegrafi.com