Spitali i Pejës me 25 anëtarë të personalit shëndetësorë të infektuar, angazhohen mjekë nga të gjitha drejtimet

Spitali Rajonal i Pejës ka të infektuar me coronavirus 25 anëtarë të personalit shëndetësorë e kjo po e vështirëson punën.

Drejtori i këtij spitali ka thënë për RTV Dukagjinin se tashmë janë angazhuar mjekë nga të gjitha drejtimet në përballje me coronavirusin.

66 pacientë të dyshuar apo konfirmuar me COVID-19 janë të shtrirë në këtë spital.

Drejtori Skënder Dreshaj tha se 16 prej këtyre pacientëve janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.

“Infektimi i 25 anëtarëve të personalit shëndetësorë na ka vështirësuar situatën dhe tashmë kemi hyrë në një fazë të re që nënkupton një riorganizim të brendshëm të punës. Pra tashmë do të kyçen pothuajse i gjithë stafi i spitalit edhe në repartet ku trajtohen pacientët me COVID-19. Sigurisht se ne do të ruajmë stafin edhe për pacientët e profileve të tjera”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Dreshaj thotë se spitali nuk ka pasur mungesa të theksuara pos sigurimit të oksigjenit.

“Kërkohet një pasqyrë e gjakut dhe një rëntgen e që ne mund t’i realizojmë të dyja. Edhe pjese a terapisë është e përballueshme për spitalin por oksigjeni paraqet një sfidë të vazhdueshme”.

Drejtori i Spitalit të Pejës tregon se prej dy javësh në këtë spital ka filluar edhe një mënyrë tjetër e trajtimit të pacientëve me oksigjen./RTV Dukagjini/Telegrafi/

The post Spitali i Pejës me 25 anëtarë të personalit shëndetësorë të infektuar, angazhohen mjekë nga të gjitha drejtimet appeared first on Telegrafi.


Burimi: telegrafi.com