Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin masat për uljen e deficitit tregtar me Kinën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina kanë rënë dakord të ulin deficitin tregtar, ashtu që Kina do të blejë më shumë mallra amerikane.

“Për t’iu përgjigjur nevojave në rritje të konsumit të popullit kinez dhe nevojës për zhvillim ekonomik të cilësisë së lartë, Kina do të rrisë ndjeshëm blerjen e mallrave dhe shërbimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo do të ndihmojë në mbështetjen e rritjes dhe punësimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në deklaratën pas përfundimit të bisedimeve midis delegacioneve të dy vendeve në të cilën nga pala kineze mori pjesë zëvendëskryeministri, Liu He.

Kina vitin e kaluar në raport me Shtetet e Bashkuara e Amerikës regjistroi suficit rekord të mallrave prej 375.2 miliardë dollarë. Presidenti amerikan, Donald Trump dëshiron që kjo të reduktohet në 200 miliardë dollarë deri në vitin 2020, përcjell Telegrafi.

Trump gjithashtu imponoi 25 për qind detyrime doganore të importit të çelikut dhe 10 për qind në importet e aluminit, ndërsa janë paralajmëruar edhe masa më drastike që duhet të kompensojnë humbjet që pësojnë kompanitë amerikane.

Uashingtoni dhe Pekini nuk arritën të pajtohen në bisedimet e tyre të fundit mbi shifrat për uljen e suficitit tregtar kinez.

Të dy vendet po përpiqen të shmangin luftën tregtare përpara se të hyjnë në fuqi të martën tarifat doganore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për importet kineze. /Telegrafi/

The post Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrin masat për uljen e deficitit tregtar me Kinën appeared first on Telegrafi.


Burimi: telegrafi.com