Rukiqi vizitë në “HIB Petrol”: Patriotizmi më i madh për vendin, të paguhen taksat

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në kuadër të vizitave në kompanitë të cilat kanë dhënë kontribut në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, sot u ndal te një nga tatimpaguesit më të mëdhenj – “HIB Petrol”. Ai u prit nga pronari i kësaj kompanie, Ibrahim Bucaliu.

Rukiqi tha se kjo kompani jep kontribut të madh për buxhetin e shtetit. Kreu i OEK-ut theksoi se patriotizmi më i madh për vendin është që të paguhen taksat.

“Nuk është vizitë pa arsye. Arsyeja është shumë specifike: HIB është kompania me kontributin më të madh në buxhet të shtetit. Edhe këtë vit por edhe në periudhën e lirisë së vendit, pra një kompani me kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e vendit. E kam theksuar edhe më herët se forma moderne e patriotizmit është me pagu taksa edhe me shku çdoherë duke e rritur kontributin, krahas rritjes së performancës në biznes”, u shpreh Rukiqi.

“Kompania ‘HIB Petrol’ e ka kuptuar rëndësinë e kontributit për vendin, duke punuar, duke sofistikuar dhe duke u ofruar shërbime moderne, qoftë këtë pjesën ku ka filluar e naftës apo edhe në shumë investime tjera që i ka bërë në vend. Dhe kjo është më e pakta që ne bëjmë, të vijmë dhe ta vlerësojmë këtë kompani për fundvit – kompaninë me kontributin më të madh në buxhetin e shtetit”.

Rukiqi ka premtuar se përkrahja e Odës për kompanitë vendore do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

E pronari i “HIB Petrol”, Ibrahim Bucaliu, tha se është mirënjohës për bashkëpunimin që kanë me OEK-un.

“Faleminderit që keni ardhur këtë fundvit. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin që kemi me Odën Ekonomike të Kosovës. Shpresoj që edhe vitin e ardhshëm do të kemi bashkëpunim edhe më të fortë edhe zëri i Odës dëgjohet edhe atje ku nuk është dëgjuar”.

‘HIB Petrol’ ka arritur edhe këtë vit të jetë taksapagues më i madh në Kosovë, sikurse dhjetë vite më herët edhe besoj edhe në vitet e ardhshme të mbesim të njëjtit”, tha Bucaliu për Ekonomia Online.

The post Rukiqi vizitë në “HIB Petrol”: Patriotizmi më i madh për vendin, të paguhen taksat appeared first on Telegrafi.


Burimi: telegrafi.com