Përvjetorët dhe rriqrat

Deri tash, dihet për treqind lloje rriqrash.

Rriqra(ri) i sotëm, para së të zë në gojë alfabetin e gjuhës shqipe, duhet të kishte lexuar shumë libra e studime për Kongresin e Manastirit dhe për të gjitha ata studiues që i paraprinë aktit historik të themelimit.

Rriqrarit nuk i intereson çka është gramatika e gjuhës shqipe, as drejtshkrimi. Ai nuk do t’ia di kush ishin Kristoforidhi, Mjeda, Naimi apo Samiu, Domi, Demiraj apo Stefan Prifti.

Këtë insekt që po merr edhe jetë njerëzish edhe tash, së paku do të duhej ta kishim izoluar.

“Je bërë si rriqër”, thotë populli! Rriqrat nuk kanë përvjetor. Rriqrat nuk kanë as gjuhë e as alfabet! Rriqrat nuk kanë histori, pasi nuk dinë as të shkruajnë as të flasin! Rriqrat nuk mësojnë dot drejtshkrimin shqip! Historia nuk mund të rishkruhet, për hatër të rriqrës.

Nuk e ka rastësisht emrin rriqër. Është insekt i vogël, por mund të jetë fatal për jetën e njeriut, siç e keni parë me sy, jo pak herë deri sot.

Ndodhi që rriqrari të betohej para pasqyrës se do të jetë fatal për të gjitha ata që i dalin para dhe pengojnë rishkrimin e historisë. Në çdo përvjetor, të cilësdo ngjarje, patjetër flet i pari.

– Do ta shohin kundërshtarët se si do të duket historia e re, bërtet edhe në gjumë!

Edhe i vetmi mbret i vetëshpallur i shqiptarëve, Ahmet Zogu, më shumë se një herë kishte tentuar të ndryshojë tekstin e himnit “Rreth flamurit të përbashkuar”, por nuk ia kishte dal. Zëri i qytetarëve që mbushnin sallën, kishte dominuar mbi korin e mbretit, kështu që teksti i himnit të porositur nuk u pranua asnjëherë nga auditori, por rriqrari nuk heq dorë nga kjo ide.

Megjithëse rriqrari nuk di të shkruaj fjalime solemne, këtë e bëjnë sejmenët e tij. Ata shkruajnë gjithçka që thotë rriqrari. Kështu, përditë e çdo orë të ditës, tregon para mediave se kush bëri histori.

Historia fillon nga rriqrari. Tërbohet kur sheh fotografi të moçme në shkolla, në zyre, në institucione, në rrugë dhe në shtëpi familjare. Fotografitë e kolosëve të kombit nuk i urren askush më shumë se ai. E di mirë se populli nuk i harron asnjëherë bijtë e vet.

Megjithëse pushtuesit u ndërruan shumë herë, eruditët askush nuk arriti t’i fshijë nga kujtesa e popullit. Populli u këndoi heronjve të vet në male, në shpella e lugina, në oda e pallate, në shkolla e fakultete. Bijtë e atdheut edhe sot marrin frymë tok me të gjallët, mirëpo ky fakt rriqrës po ia shkatërron çdo ide për të hyrë në histori.

Rriqrari frikësohet se po vdes pa arritur ta ndryshojë historinë dhe pa fshirë gjithçka që është shënuar deri tash nëpër libra dhe çdo gjë që ruhet nëpër arkiva. Mendon që njeriut tonë t’ia fshijë nga mendja edhe ninullat e përrallat për fëmijë. Çdo bust, lapidar a përmendore, i duket i gjallë dhe me dëshirë do të vendoste vetën në secilin monument.

Kalorësi me shpatë mbi kalë, luftëtari me armë në dorë megjithëse janë në bronz, ia fusin frikën. Çdo emër në përmendore, në shtatore apo në pllakë varri e tmerron. Rriqrës iu ka mbushur mendja të zhdukë gjithçka që lidhet me historinë dhe memorien e këtyre njerëzve. Mendon të djegë gjithë arkivat, dhe ky mendim i tij, nuk përfundon këtu. Numëron bibliotekat dhe librat që janë botuar për luftërat dhe heronjtë, brenda e jashtë vendit. Edhe ky fakt ia prishë mendjen fare, pasi është zor që me dorën e tij të mbërrijë kudo që ka libra e dokumente për t’i djegur.

Rriqrari urdhëron dhe paguan shuma të mëdha parash që të shkruhen libra për të. Dëshiron t’i këndohen këngë. Çka s’mendon!?

– More ka edhe shumë filma dokumentar, tha vet me veti!

– Do t’i djeg të gjithë, bërtiti me zë dhe goditi pasqyrën, me të cilën po fliste.

I vetmuar para pasqyrës, po jepte urdhër! Zëri i doli papritur, por para tij nuk ishte askush. Kamerat e ngrira nuk po xhironin. Jeni gati!- u fliste kamerave te fikura! Filloni!

– Të digjen gjithë arkivat, te digjen gjithë bibliotekat, të digjet çdo libër. Të digjen të gjitha kinotekat, të kontrollohet çdo familje dhe atyre t’u konfiskohet çdo libër a dokument. Nuk ka për të mbetur gjurmë nga historia e deritashme. Do t’ua tregojë atyre se kush ka bërë histori.

Heshtja e mundon se tepërmi, sidomos kur nuk dëgjon asnjë shkrepje aparati fotografik. Kur nuk ka përpara asnjë gazetar, vetja i duket i vdekur fare. Kjo e tmerron.

– Nuk ka problem, historia duhet të rishkruhet ashtu siç them unë, i thotë në heshtje mureve të zyrës. Do të dëgjosh edhe ti o mur, edhe ti o mal, edhe ju rapsodë, do të dëgjoni e do të këndoni për rriqrën, ndërsa ata që kanë shkruar e kënduar për heronj deri tash, do te harrohen.

Problemin e mediave e ka zgjidhur. Tash ka medium të vetin.

– Jo vetëm që do t’i detyrojë ta harrojnë historinë, por kanë për ta harruar edhe alfabetin e gjuhës amtare, betohet i vetmuar para pasqyrës.

Edhe alfabeti po del pengesë për të ngase nuk po mund i shqipton dot tridhjetë e gjashtë shkronjat. Oh, sa shumë shkronja! Oh sa zor të shqiptohen drejtë të gjitha!

– More, do të më dali problem edhe me shtetet tjera, i thotë veti. Dokumentet kanë depërtuar në të katër anët e botës. Madje po thonë se veprat e shkruara në gjuhën tonë janë përkthyer në më shumë se njëqind gjuhë të botës. Aty gjenden të shkruar emrat e heronjve, të shkrimtarëve, te rapsodëve, e të këngëtarëve edhe më të rinj, ndërsa emri i rriqrës nuk është aty.

Kjo e luan fare nga mëndet (nëse ka ndonjë kokërr, thotë populli) rriqrën.

Me vendet fqinje nuk e kam problem, nisi t’i jap gajret veti. Ata na kanë pushtuar shumë herë dhe mezi presin që unë të kërkojë prej tyre të asgjësojnë çdo dokument që dëshmon historinë e këtij populli. Histori të shkruar pa mua, nuk do të këtë, thotë me ngashërim edhe në gjumë.

– Çka me mungon mua , pyet vetën! Emrin nuk e kam fort të mirë, por do të mësohen të gjithë me këtë – shqiptoi ndër dhëmb fjalën “Rriqër”. Ky emër insekti do të bëhet fatal për të gjithë ata që nuk iu binden urdhrave të mia. Do të bëhet historia siç thotë rriqra. Ka për t’ua shkruar juve historinë rriqra. Ju do t’i këndoni edhe këngë rriqrës. Do të shkruani romane e histori për rriqrën. Himni i deritashëm “Rreth flamurit të përbashkuar” nuk do të këndohet më. Tani e tutje do të këndoni himnin e ri “Rreth rriqrës të përbashkuar “. Nuk më keni pa ore të gjorë se si në paraqitjet e mia, ai flamuri i juaj nuk shihet më askund. Tash ka në flamur një figurë dhe një shkronjë – rriqrën. Edhe pak ditë e nuk do të shihni tjetër kalif, pos rriqrës mbështjellë me flamur. Rriqra do t’ua ndërrojë juve edhe fenë. Priftërinj e hoxhallarë, katolikë, myslimanë, ortodoksë… kanë për t’u lutur për mua, të gjithë pa përjashtim.

P.S. Emri rriqër është shqip. Keni dëgjuar shprehjet: “Je bërë si rriqër”! “Nuk largohet m’sa rriqra”! “Iu kishte ngjitë si rriqra” etj.! Dikush mund të shtrojë pyetjen: a ka gjini rriqra dhe si shumohet ky insekt? Dikush kishte pyetur: a merr frymë rriqra? Kështu tema zgjerohet dhe kërkon studime të gjëra që dalin jashtë përgjegjësisë së një studiuesi të një fushe të caktuar. Nëse në fjalorin shqip- shqip të Mikel Ndrecës kërkoni fjalën “rriqër”, zor se do ta gjeni fare. Jo pse autori nuk e ka njohur këtë fjalë, por sistemimi i saj kërkonte edhe dije të mjaftueshme për t’i dhënë vendin e duhur emrit të këtij insekti. Më sa duket, edhe hartuesit e fjalorëve iu kanë shmangur shumë fjalëve burimore shqipe, pasi duhej të mësonin edhe shumë gjëra për çdo fjalë. Vetëm në Enciklopedinë e insekteve do të gjeni shpjegime të duhura për rriqrën!

The post Përvjetorët dhe rriqrat appeared first on Telegrafi.


Burimi: telegrafi.com