PD kërkon verifikimin e figurës së kryebashkiakut të Vaut Dejës

Partia Demokratike i kërkoi të martën prokurorisë verifikimin e figurës së kryetarit të Bashkisë Vau Dejës, Mark Babani, për të cilin ajo ka dyshime se ka fshehur të shkuarën kriminale. Sipas saj, ndaj tij ka patur ndalime, dënime dhe dëbime nëItali dhe Maqedoninë e Veriut.

Siç pohohet nga vetë Partia Demokratike, kërkesa drejtuar prokurorisë është shoqëruar edhe me firmën e 500 qytetarëve. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, ka vënë në dispozicion të prokurorisëinformacionin që disponon Partia Demokratike për kryebashkiakun e Vaut të Dejës.

Në kërkesën e saj drejtuar prokurorisë Partia demokratike shprehet se kryetari i Bashkisë Vau Dejës “dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali gjatë periudhës 1994 -1999 dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane”.Gjithashtu, po sipas Partisë Demokratike, zoti Babani “ka qenë i arrestuar/ndaluar dhe më pas dënuar edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës 2002-2003”.

Partia Demokratike kërkon gjithashtu që të hetohet edhe mbi të dhënat e paraqitura nga zoti Babani në formularin e vetdeklarimit kur kandidoi për kryetar të Bashkisë Vau Dejës pasi “nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Mark Babani nga periudha 1994 – 2005 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë me identitetin e tij real, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parëdhe se, ekzistojnë dyshime se ky shtetas ka përdorur tre identitete te ndryshme, të padeklaruara në Formularin e Dekriminalizimit”.

Por të martën, kryebashkiaku i Vaut të Dejës i tha Zërit të Amerikës se akuzat apo, siç i quan Partia Demokratike, dyshimet, nuk i përkasin atij dhe nuk kanë lidhje me emrin dhe me jetën e tij. Ato, shtoi ai, lidhen me nevojën e vet Partisë Demokratike për të mbajtur elektoratin e saj. Zoti Babani tha se nuk ka asnje lloj dokumenti kompromentues që mund të dalë pasi në Europë gjithçka regjistrohet dhe nuk ka mundësi abuzimi.

Asnjëherë në jetën time unë, baba im, gjyshi im, 24 orë burg nuk i kemi ba me asnjë lloj qeverijet, në mënyrën ma apsolute. As kam qenë i thirrur prej policisë ndonjëherë, as kam marrë ndonjëherë një gjobë 100 euroshe në të gjithë jetën time, në të gjithë Europën ku kam lëviz.

Mark Babani, një emigrant në Itali dhe më pas një biznesmen i njohur në fushën e përpunimit të peshkut, përgënjeshtoi deklaratën e Parisë Demokratike se ka përdorur tre identitete të ndryshme dhe shtoi se do të bashkëpunojë me prokurorinë.

“Në vitin 1991 kam ikë dhe kam punu deri në 1995, dy punë të ndryshme; në një fabrikë peshku, ku unë jam ken ortak me ta dhe sot e vazhdoj këtë aktivitet, dhe në një hotel që kam punu në 94,95. Në vitin 1995 kam hapë për herë të parë licensen në Shqipëri, në 96-tën bëmë investimin dhe në 97-tën ika se e tillë ishte periudha. Dhe unë kam rinovu lejen e qendrimit një herë në një a dy vjet, sipas variantit që ishte dhe, në momentin që duhej me rinovu lejen e qendrimit isha i detyruar me shku në Itali. Deri në vitin 2003 kur kam dorëzu lejen e qendrimit në ambasadën italiane dhe kam marrë viza atëherë vazhdimisht. Por, unë asnjëherë nuk kam qenë i ndalum për me hy e me dalë”.

Mark Babani është kryebashkiaku i tretë socialist, pas atij të Shkodrës dhe të Vorës, të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit pa pjesemarrjen e opozites, që dyshohet nga PD se ka fshehur rekorde kriminale të jetës së tij./VoA/

The post PD kërkon verifikimin e figurës së kryebashkiakut të Vaut Dejës appeared first on Telegrafi.


Burimi: telegrafi.com