Kurti: Nis puna për rritjen e pagës minimale në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti, ka bërë të ditur se ka filluar puna drejt rritjes së pagës minimale.

Përmes një shkrimi në Facebook, tha se rritja e pagës minimale është përmbushje e një tjetër zotimi nga Qeveria Kurti.

Kreu qeveritar theksoi se punëtorëve të sektorit privat do t’iu sigurohet pragu i të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme.

“Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme. Ende pa i mbushur një vit në qeverisje, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale”, u shpreh Kurti.

Sipas tij hapi i parë është rregullimi i kornizës ligjore, në mënyrë që të evitohen të gjitha pasiguritë ligjore ekzistuese në lidhje me rritjen e pagës minimale.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve veçse ka përgatitur projektligjin i cili shpejt do të dalë në konsultime publike”, shtoi ai.

Tutje tha se në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, së shpejti do të propozohet edhe niveli i pagës minimale.

“Propozimi pastaj miratohet në Qeveri dhe kësisoj përmbyllet procesi”, tha Kurti./Telegrafi/

The post Kurti: Nis puna për rritjen e pagës minimale në Kosovë appeared first on Telegrafi.


Burimi: telegrafi.com