Kurti: Kosova në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan

Kryeministri Albin Kurti, priti në takim kryesuesin ekzekutiv të Atlantic Council, gjeneralin James Jones, themeluesin dhe kryesuesin e Fondacionit Malama Ka’u, Mel Yokoyama, si dhe ish-ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Fatmir Mediu.

Diskutuan për zhvillimet politike, mundësitë për investime dhe çështjet e sigurisë në Kosovë e rajon.

Kurti e njoftoi gjeneralin Jones për progresin përgjatë një të tretës së mandatit qeverisës, duke vënë theksin te stabiliteti institucional, indikatorët pozitivë ekonomik dhe demokratik.

Ai veçoi renditjen e Kosovës në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan, sipas World Justice Project, ngritjen për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit, sipas Transparency International dhe ngritjen për 17 vende më lartë sa i përket lirisë së mediave sipas Reporterëve pa Kufij.

Si aleat dhe mik i pashmangshëm, na duhet ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s, tha kryeministri Kurti, ndërsa potencoi rritjen e buxhetit për mbrojtje për 52 për qind dhe bashkëpunimin shumë të mirë dhe pjesëmarrjen në misione e stërvitje të përbashkëta të Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë amerikane dhe me NATO-n.

Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social dhe tolerancës zero ndaj krimit e korrupsionit.

Gjenerali Jones ka qenë Komandant Suprem i Aleancës për Evropë dhe ish-këshilltar për siguri kombëtare të Presidentit të SHBA-së.

Ai ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe është iniciator i Iniciativës së tre deteve Baltik, Mesdhe dhe Deti i Zi, ku janë të përfshira të gjitha vendet e Evropës Qendrore për investime në infrastrukturë, energji dhe teknologji.

Në takim ishin edhe deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Shqipe Selimi dhe këshilltari i kryeministrit Kurti, Lulëzon Jagxhiu.

The post Kurti: Kosova në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan appeared first on Telegrafi.


Burimi: telegrafi.com