Koreja e Jugut regjistron numrin më të lartë ditor të rasteve me coronavirus që nga muaji mars

Koreja e Jugut ka raportuar rritjen e saj më të lartë ditore në rastet e coronavirusit që nga fillimi i marsit pasi grupimet e rasteve nga kishat rreth kryeqytetit Seul kanë shkaktuar kufizime të reja mes shqetësimeve për një valë mbarëkombëtare të infeksioneve.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, 297 infeksione të reja të raportuara të mërkurën shënojnë ditën e gjashtë me radhë të rritjes tre-shifrore në një vend që ka arritur të menaxhojë disa shpërthime të mëparshme.

Kështu, siç thuhet më tej, numri i përgjithshëm kombëtar u rrit në 16.055 infeksione me 306 vdekje, sipas të dhënave nga Qendrat Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Ne jemi në një krizë mjaft të rrezikshme ku infeksionet po përhapen në zonën metropolitane të Seulit dhe duke kërcënuar se do të çojnë në një transmetim masiv në mbarë vendin”, ka thënë zv.ministri i Shëndetësisë, Kim Gang-lip në një konferencë.

“Qeveria nuk mund të përmbajë shtrirjen e tanishme vetëm me gjurmim dhe izolim … ju lutemi qëndroni në shtëpi nëse nuk duhet të dilni”.

Sipas Al Jazeera, zyrtarët gjithashtu kanë zbatuar kufizime më të forta në distancën fizike për Seulin, Incheon dhe krahinën e afërt Gyeonggi duke ndaluar tubimet e më shumë se 50 personave brenda dhe 100 njerëzve jashtë.

Si pasojë, klubet e natës dhe objektet e tjera “me rrezik të lartë” do të mbyllen, ndërsa kishave do t’u kërkohet të kryejnë të gjitha shërbimet e tyre të adhurimit në internet. /Telegrafi/

The post Koreja e Jugut regjistron numrin më të lartë ditor të rasteve me coronavirus që nga muaji mars appeared first on Telegrafi.


Burimi: telegrafi.com