Kontaminimi i ujit në Drin mbyti 12 ton peshq dhe një lopë, peshkatarët pretendojnë se dinë fajtorët

Problemi me ujin e kontaminuar në Drin, po shqetëson shumë banorët e zonës. Madje, ky ujë po dyshohet se ka mbytur mbi 12 tonë peshq dhe lopën e një banori. Ata kërkojnë masa urgjente nga institucionet.

Kontaminimi i ujit në lumin Drin të Prizrenit përveç që mbyti 12 ton peshq, shkaktoi edhe ngordhjen e një lope dhe infektimit të një lope tjetër.

Bashkim Krasniqi, kryetar i Federatës së Peshkatarëve të Kosovës fajëson bizneset private për hedhjen e mbeturinave dhe inspektoratin komunal për mos seriozitet.

“Nga hedhjet e kemikaleve të ndryshme nga bizneset private ka ndodhur ngordhja e peshqve. Këto biznese janë të pakontrolluara nga Inspektorati në Komunën e Prizrenit. Bizneset private janë shumë të fuqishme dhe për atë nuk kemi më besim në një institucion si Kuvendi Komunal apo Inspektoriati, por kemi kërkuar takim me gjithë inspektorët nga Ministria e Bujqësisë apo Mjedisit dhe ky i Prizrenit. Në atë takim unë do të paraqes argumentet se cilat janë ato biznese [që po ndotin ujin]”, shprehet për RTV Dukagjinin, Bashkim Krasniqi.

Kurse banori i fshatit Dobrush, Adi Saramati përmes një përgjigje ka thënë se atij i ka ngordh një lopë, ndërsa një tjetër e ka të infektuar, transmeton Telegrafi.

“Të dielën pasdite dy lopët kanë pi ujë në lumin e Drinit, uji ka qenë i helmuar e unë nuk e kam ditur. Njëra ka ngordhur të dielën e tjetra është në gjendje jo të mirë. Inspektorati komunal ka ardhur sot – ia ka bërë disa analiza lopës por edhe kjo është në rrezik”, thotë banori Adi Saramati.

RTV Dukagjini lidhur me këtë çështje ka dërguar pyetje në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe në Inspektoriatin Komunal në Prizren mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje. /RTV Dukagjini/Telegrafi/

The post Kontaminimi i ujit në Drin mbyti 12 ton peshq dhe një lopë, peshkatarët pretendojnë se dinë fajtorët appeared first on Telegrafi.


Burimi: telegrafi.com