Kolonat te Dheu i Bardhë, ministri Gashi fajëson palën serbe

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka bërë të ditur sot se shumë shpejt pritet të dalë me një vendim për zgjidhjen e problemit me pajisje me dokumente për qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Ai gjatë një vizite që i bëri komunës së Gjilanit shprehu gatishmërinë të mbështesë komunën e Gjilanit nga niveli qendror.

“Gjilani është komunë model që për disa fusha ka dhënë sukses të jashtëzakonshëm, siç bie fjala për Mekanizmin Referues në aspektin e deradikalizmit. Të gjitha sfidat dhe problemet që i ka Komuna në aspektin e sigurisë, ne do të mundohemi t’i japim zgjidhje”, tha ministri Gashi.

Ai vuri në dukje se projekti për vendosjen e kamerave në komunën e Gjilanin, i cili po bëhet në bashkëpunim me ICITAP-in amerikan, është një projekt jashtëzakonisht i mirë, i cili do të jetë i dobishëm për qytetarët e kësaj komune në rritjen e sigurisë.

Ndërsa, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri theksoi se gjendja në këtë komunë është stabile dhe për këtë gjendje të mirë një kontribut të madh ka dhënë policia rajonale në Gjilan.

“Diskutuam edhe për çështjen e zjarrfikësve që ne ofrojmë si Komunë, sikurse që e njoftova ministrin për Mekanizmit Referues dhe KKSB, si dy mekanizma ndër sektorial jashtëzakonisht të suksesshëm që i kemi”, ka kryetari Haziri.

Pas këtij takimi ministri Gashi ka vizituar Pikë-Kalimin Kufitar Dheu i Bardhë për të parë nga afër sfidat që përballen zyrtarët policor në përmbushjen e detyrave të tyre.

Ministri Gashi vlerësoi mobilizimin e Policisë së Kosovës, në këtë kohë kur ka shtim të fluksit të udhëtarëve që kalojnë në këtë pikë-kalim kufitar gjatë sezonit veror.

Ai po ashtu potencoi se kolonat në këtë pikë-kalimi vijnë si rezultat i palës serbe, e cila nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit, ndërsa pala kosovare po punon me kapacitete të shtuara.

The post Kolonat te Dheu i Bardhë, ministri Gashi fajëson palën serbe appeared first on Telegrafi.


Burimi: telegrafi.com