Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se është arritur një marrëveshje në parim mes palëve për situatën sa i përket targave.
Sipas Bislimit, janë tri pika të marrëveshjes e po pritet vetëm miratimi nga pala serbe.
E para, nga dita e hënë si Kosova ashtu edhe Serbia të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave;
E dyta, do të formohet grup punues për gjetje të një zgjedhje të përhershme për lëvizje të lirë të veturave brenda gjashtë muajve;
E tretë, ka të bëjë me deeskalimin e situatës, largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.
Sipas kësaj marrëveshje, të shtunën do të vendoset KFOR-i në pikat lartë, e pas disa orëve do të zëvendsohej Policia Speciale, që paralelisht me barrikadat do të largohej nga pikat kufitare.
Ndërsa, aktualisht qytetarët serbë me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar këto dy rrugë nacionale në atë pjesë në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.
Ndërkohë, në 24 orët e fundit nuk është raportuar për ndonjë incident në afërsi të asnjërës pikë kufitare, Jarinjë e Bërnjak.
Njësitë speciale të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë bllokadave, ndërkohë që misioni i KFOR-it ka rritur prezencën në këtë pjesë. /Telegrafi.
The post Këto janë pikat e ‘marrëveshjes’ në Bruksel, sipas Bislimit appeared first on Telegrafi.
Burimi: telegrafi.com