Evropa mund të shohë ‘disa valë’ të COVID-19, paralajmërojnë ekspertët francezë

Evropa rrezikon të goditet nga valë të mëtejshme të infeksioneve të coronavirusit vitin e ardhshëm, ka paralajmëruar këshilli shkencor i Francës, ndërsa kontinenti përpiqet të përballojë një goditje të dytë vdekjeprurëse në rastet me COVID-19.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, edhe nëse bllokimet e pjesshme që po vendosen në të gjithë Evropën zvogëlojnë shkallën e infeksioneve të reja, valët shtesë të sëmundjes janë të mundshme në mungesë të një vaksine, tha këshilli.

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi javën e kaluar një bllokim në të gjithë vendin deri më 1 dhjetor, duke përmendur gjetjet e këshillit, i cili përfshin ekspertët kryesorë të pandemisë së Francës dhe këshillon qeverinë për politikën shëndetësore.

Kryeministri britanik Boris Johnson ndoqi “këtë sugjerim” të shtunën, duke njoftuar një mbyllje të pjesshme, njëmujore në Angli – përfshirë restorantet – që do të fillojë më vonë këtë javë.

Ndërkohë Gjermania do të miratojë masa të ngjashme që nga e hëna, me njerëz në të gjithë vendin të mbyllur në shtëpitë e tyre, dhe të gjitha baret, restorantet, teatrot dhe kinematë e mbyllura.

Spanja në anën tjetër ka vendosur një “shtetrrethim” natën dhe qeveria italiane pritet të njoftojë kufizime të reja të hënën.

Në Francë, Macron tha se qëllimi i bllokimit të tij në të gjithë vendin ishte të ulte numrin e infeksioneve ditore në 5,000.

Aktualisht, Franca po sheh midis 40,000 dhe 50,000 raste të reja çdo ditë.

Vala e dytë mund të zbutet në fund të dhjetorit ose në fillim të vitit 2021, tha këshilli francez në një deklaratë të lëshuar të Premten vonë.

“Kjo varet nga vetë virusi, mjedisi i tij, masat që do të merren për të kufizuar qarkullimin e virusit dhe nivelin e pajtueshmërisë”.

Por në mungesë të një vaksine – që nuk pritet të jetë e disponueshme gjerësisht deri në vitin e ri – shpërthime të mëtejshme ka të ngjarë të jenë në horizont.

“Kështu mund të kemi disa valë të njëpasnjëshme gjatë fundit të dimrit dhe pranverës 2021”.

Moti, efikasiteti i politikave të testeve dhe gjurmimit dhe ashpërsia e bllokimeve do të kenë të gjitha ndikim në kohën, intensitetin dhe kohëzgjatjen e tyre, shtuan ekspertët. /Telegrafi/

The post Evropa mund të shohë ‘disa valë’ të COVID-19, paralajmërojnë ekspertët francezë appeared first on Telegrafi.


Burimi: telegrafi.com