​Veseli: Bashkë me të rinjtë, do ta fuqizojmë Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, u prit në Podujevë nga qindra të rinj që i janë bashkuar PDK-së, për Dekadën e Re.

Siç njofton PDK, Veseli tha se ndihet krenar me rininë e Kosovës, e cila sipas tij është rini inovatore dhe me ide sipërmarrëse për ta zhvilluar dhe transformuar Kosovën.

“Rinia dhe Dekada e Re është Partia Demokratike e Kosovës. Është çelësi i suksesit, është çelësi i zhvillimit dhe këtë do ta arrijmë bashkërisht. Ka nevojë Partia Demokratike e Kosovës të rinohet, të forcohet, të zhvillohet. Më së miri mund të rinohet e zhvillohet përmes një rinie e cila është e fuqishme, një rini e cila është aktive dhe ka qëllim, ka synim e dëshirë dhe ia arrin qëllimeve që ka para vetes”, tha Veseli.

Ai tha se në procesin zgjedhor të Rinisë Demokratike të Kosovës, i cili po përfundon me kuvendin zgjedhor në Podujevë, kanë marrë pjesë më shumë se 20 mijë të rinj.  “PDK gjithmonë ka besuar tek rinia dhe i ka dhënë e do t’i japë hapësirën meritore. Kosova ka rini të mrekullueshme dhe në Dekadën e Re, të rinjtë e talentuar me ide inovatore e ndërmarrëse, do ta fuqizojnë Kosovën për t’u zhvilluar dhe integruar në institucionet euro-atlantike”, tha Veseli. /kp/Telegrafi/

The post ​Veseli: Bashkë me të rinjtë, do ta fuqizojmë Kosovën appeared first on Telegrafi.


Burimi: telegrafi.com