​Kollçaku- Mullhaxha: Besoj që do ta zgjedhim presidentin

Nënkryetarja e LVV-së, Fatmire Kollçaku-Mullhaxha po shprehet optimiste se Vjosa Osmani do të zgjidhet sonte presidente.

Ajo pret konstruktivitet nga partitë tjera politike për zgjedhjen e shefit të ri të shtetit në seancën e Kuvendit të paraparë për në orën 18:00, por që ende nuk ka filluar të mbahet.

“Besoj që do ta zgjedhim presidentin, ajo çfarë më gëzon më shumë është që përsëri do ta kemi një grua presidente, e cila edhe do të përçojmë një mesazh të mirë që me të vërtetë po vijnë ditë të mira për Kosovën. Ne presim konstruktivitet… tashmë do të mblidhemi në sallë. Unë tani po më shihni qe po shkoj në sallë. Mua siç më është thënë kam ardhur në orën 18:00 dhe tani më është thënë që të shkoj në sallë në bazë se çfarë u dakorduam në grup”, ka deklaruar ajo.

Kollçaku-Mullhaxha ka njoftuar se paraprakisht kanë pasur një takim me anëtarët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendose.

“Çdo gjë besoj që jemi koordinuar, tash ta shohim. Nuk kam çfarë të deklaroj më tepër. Ajo çfarë është biseduar do të reflektohet edhe këtu… Alternativa ka gjithmonë, vetëm vdekja nuk ka alternativë”, ka shtuar Kollçaku-Mullhaxha.

Sa i përket vendimit për mbyllje totale për shkak të pandemisë me koronavirus, ajo tha se çdo vendim do të jetë konform situatës.

The post ​Kollçaku- Mullhaxha: Besoj që do ta zgjedhim presidentin appeared first on Telegrafi.


Burimi: telegrafi.com